Takimi i nisjes së projektit RyTHM: Rezultatet
18 dhjetor 2018 | Lajmet & Veprimtaritë, Veprimtari të realizuara

Takimi fillestar i projektit të bashkëpunimit ndërkufitar “RyTHM-nxitja e krijimtarisë dhe ndërlidhja e të mirave kulturore përmes monumenteve historike / Nxitja e kreativitetit dhe lidhja e aseteve kulturore përmes monumenteve” u mbajt me sukses më 13 dhjetor 2018, në Korfuz.

Projekti RyTHM financohet me 651,620.00 € nën Aksin Prioritar 2- “Promovimi i ekonomisë lokale” të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA CBC II “Greqi-Shqipëri 2014-2020” dhe ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit midis operatorëve kulturorë për përmirësimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve kulturore, në të cilat ndodhen monumentet.

Takimi u organizua nga Përfituesi Kryesor, Eforia e Antikiteteve të Korfuzit dhe morën pjesë përfaqësues të Teatrit Lokal dhe Rajonal të Korfuzit dhe Bashkisë së Finiqit që plotësojnë skemën e partneritetit.

Qëllimi kryesor i takimit ishte organizimi i aktiviteteve për zbatimin e projektit dhe prezantimi i detajuar i ndërhyrjeve që do të zhvillohen nga secili partner, duke iu referuar afatit kohor dhe rezultateve.

Eforia e Antikiteteve të Korfuzit paraqiti ndërhyrjet që do të bëhen për mundësimin e aksesit në Bastionin e Savorganit të Kalasë së Vjetër, në Korfuz. Përfaqësuesit e Bashkisë së Finiqit paraqitën respektivisht veprimet që ata kanë zbatuar tashmë për dizajnimin dhe funksionimin e integruar të Qendrës Kulturore të Bashkisë Finiq, në Livadhja, Shqipëri. Teatri Lokal dhe Rajonal i Korfuzit paraqiti veprimtaritë e hapura që do të mbahen në zonat e rinovuara në Greqi dhe Shqipëri. Partnerët theksuan rëndësinë e projektit dhe bashkëpunimin e tyre për shkëmbimin e njohurive dhe për promovimin e trashëgimisë kulturore të përbashkët.